Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, z. Fatmir Xhafaj takon Komisionerin e BE-së për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Johannes Hahn

Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, z. Fatmir Xhafaj u takua me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Johannes Hahn. Të pranishëm në këtë takim ishin Kryetarja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, znj. Romana Vlahutin si dhe anëtarja e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, znj. Vasilika Hysi. Z. Xhafaj vlerësoi qasjen e re të Komisionit duke vënë theksin te nevoja për të bërë reforma reale dhe jo thjesht ligje. Gjatë bashkëbisedimit, z. Xhafaj vlerësoi rolin e Komisionit të BE-së dhe veprimtarinë e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë në mbështetje të procesit të reformës. Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi bëri një ekspozitë të procesit deri më sot, duke theksuar se udhëheqës në këtë proces kanë qenë gjithëpërfshirja, transparenca, konsultimi me ekspertët si dhe dialogu i vazhdueshëm. Gjithashtu, z. Xhafaj vlerësoi procesin e reformës në drejtësi si tepër të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, ndërsa theksoi përgjegjësinë e klasës politike për miratimin e projektit kushtetues si detyrim ndaj pritshmërisë së lartë të qytetarëve dhe interesave të të ardhmes së vendit. Z. Xhafaj vlerësoi asistencën e dhënë nga ekspertët e EURALIUS dhe punën e palodhur të ekspertëve të huaj krahas atyre vendas, ndërsa i kërkoi Komisionerit Hahn mundësinë e mbështetjes nga Brukseli në hapat e mëtejshëm të reformës dhe veçanërisht lidhur me zbatimin e saj, ngritjen dhe forcimin e institucioneve të reja të sistemit etj. Ata diskutuan veçanërisht lidhur me procesin e vlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, rolin e BE në këtë fazë të procesit si dhe me nevojën e një tryeze donatorësh për mbështetjen afatgjatë buxhetore të sistemit. Nga ana e tij, Komisioneri Hahn vlerësoi shumë pozitivisht procesin e Reformës në Drejtësi, punën e Komisionit të Posaçëm Parlamentar dhe Grupit të ekspertëve të atashuar pranë tij si dhe evidentoi faktin se Brukseli është treguar i kujdesshëm që reforma në drejtësi të jetë pronë e shqiptarëve të cilët kanë të gjithë përgjegjësinë para qytetarëve të vendit për miratimin dhe zbatimin e kësaj reforme kyçe për të ardhmen e shtetit të së drejtës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Hahn u shpreh se reforma është e vështirë, por ai është besim plotë se do të japë rezultate pozitive për të ardhmen europiane të vendit. Gjithashtu ai vlerësoi kërkesat për mbështetje për asistencë financiare dhe ekspertizë teknike dhe u shpreh i gatshëm të iniciojë e të mbështesë hapat përkatëse për këtë gjë.