Konferenca për shtyp e Kryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, z. Fatmir Xhafaj

Jam sot këtu për të dhënë disa konsiderata lidhur me Opinionin Përfundimtar të Komisionit të Venecias mbi ndryshimet kushtetuese.

Dua të them që në fillim se drafti i Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias mbi ndryshimet kushtetuese të propozuara në lidhje me reformën në drejtësi, qartësisht e pa asnjë ekuivok ka rikonfirmuar pozitivitetin e iniciativës kushtetuese për të reformuar sistemin e drejtësisë si edhe përfundimisht, ka konfirmuar strukturën institucionale me modelet dhe zgjidhjet teknike të propozuara në projektin kushtetues.

Ne i vlerësojmë si të pranuara vlerësimet dhe rekomandimet e këtij draft opinioni dhe jemi vullnet plotë për ti përmbushur rekomandimet e bëra.

Është fakt i njohur që jo rrallëherë përfaqësuesit e partive politike këtu në Shqipëri dhe jo vetëm ata, siç ka ndodhur edhe më parë me raportet e Komisionit të Venecias, i bëjnë leximin që dëshirojnë të draftit, si dhe i japin përmbajtjes së tij atë kuptim që ka njw interes të caktuar politik për ta.

Por pavarësisht kësaj, asnjë prej palëve nuk mundet të mohoj se Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias i sapo bërë publik :

Së pari ka mbështetur domosdoshmërinë, rëndësinë dhe urgjencën për kryerjen e reformës në drejtësi edhe përmes disa zgjidhjeve radikale dhe ndërhyrjeve me masa të jashtëzakonshme, siç janë ngritja e strukturave antikorrupsion në të tre nivelet e tyre dhe kryerja e procesit të vlerësimit për gjyqtarët e prokurorët e vendit nga nivelet ë të larta, deri tek gjyqtari dhe prokurori më i thjeshtë i republikës. Në opinion theksohet qartë se : “Komisioni i Venecias mbetet i mendimit se masat e tilla nuk janë vetëm të justifikuara, por janë të nevojshme për të mbrojtur Shqipërinë nga goditja e metastazave të korrupsionit”.

Së dyti, ky draft opinion ka vlerësuar pozitivisht të gjithë procesin dhe procedurën e deritanishme të përgatitjes së draftit të amendamenteve kushtetuese.

Së treti ka vlerësuar shumë pozitivisht kontributin dhe punën e të gjithë ekspertëve të nivelit të lartë dhe në përgjithësi të të gjithë njerëzve që janë angazhuar në këtë proces. Draft-Opinioni përfundimtar ka përcaktuar qartë se: “Komisioni i Venecias përgëzon autoritetet shqiptare, në veçanti ekspertët e Komisionit parlamentar ad hoc, për punën qe kanë investuar në përgatitjen e reformës kushtetuese të gjyqësorit. Gatishmëria e tyre për të marrë në konsideratë rekomandimet e Opinionit të Ndërmjetëm meriton një lavdërim të veçantë”.

Së katërti në veçanti vlerëson si të pranueshme dhe efikase strukturën e organeve të reja të drejtësisë të propozuara në projektin e ri kushtetues, dhe në tërësi të gjithë draftin e amendamenteve. Komisioni i Venecias në Opinionin e prezantuar ndër të tjera thekson shprehimisht se : “Draft-amendamentet e rishikuara përmbajnë propozime të shëndosha për reformimin e ardhshëm të gjyqësorit shqiptar, teksti është i plotë, koherent dhe në përputhje me standardet evropiane”.

Gjithë sa më sipër është thënë me një gjuhë të qartë dhe të kuptueshme lehtësisht për këdo. Mjafton të lexosh pjesën “Konkluzione” dhe mundet të konfirmohen këto vlerësime.

Ndaj është jo vetëm naive, por edhe pa ndonjë dobi dhe përfitim politik, si dhe në kundërshtim me interesin publik, të vazhdohet të thuhet se Komisioni i Venecias ka rrëzuar “projektin e ndryshimeve kushtetuese”.

Për cilindo që e ka këtë këndvështrim dhe që nuk ka mundur ti japë kohën e duhur leximit të dokumentit përveçse sa citova më sipër po citoj edhe disa paragrafë të tjerë të draft opinionit përfundimtar në të cilin shprehimisht shkruhet se : “Projekt ndryshimet e rishikuara janë përmirësuar krahasuar me tekstin fillestar - jo vetëm në detaje, por edhe në lidhje me zgjedhje të rëndësishme parimore. Projekti i ri merr parasysh pjesën më të madhe të kritikave të detajuara që janë bërë më përpara nga Komisioni. Propozimet në formën aktuale janë përgjithësisht të arsyeshme. Mbeten disa probleme teknike, por që nuk duhet të jenë të pazgjidhshme. Për ta përmbledhur, Komisioni i Venecias është i përgatitur që ta konsiderojë të pranueshme strukturën institucionale të propozuar ashtu siç është”. Pra siç është propozuar në projektin kushtetues që është paraqitur.

Ne e vlerësojmë angazhimin e Komisionit të Venecias për rekomandimet e bëra.

Këto rekomandime kryesisht lidhen edhe me gjetjen e çdo mundësie që opozita të ndihet kontribuuese në procesin e konkretizimit të kësaj reforme. Kjo është edhe një ndër shqetësimet, apo këshillat, rekomandimet e këtij draft opinioni.

Në këtë kuadër, ne besojmë se opozita e kupton shumë qartë që Venecia nuk rekomandon që organet e reja që do të krijohen të konsiderohen si parcela tw ndara sipas palëve politike, pavarësisht se kush janë, kanë të drejtën ta ndajnë sipas peshës politike që kanë apo sipas oreksit të momentit.

Ndaj në përmbushje të këtyre rekomandimeve, ne jemi të gatshëm të pranojmë çdo zgjidhje që opozitën e bënë pjesë reale të procesit të ndërtimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë, por me kushtin që këto organe të mos jene “të balancuara politikisht” dhe ose emërimet e anëtarëve të këtyre organeve të mos kënaqin vetëm interesin politik. E konsiderojmë shumë të drejtë konkluzionin e shprehur për këtë gjë në opinionin e Komisionit të Venecias ku thuhet se “Ky proces emërimi duhet të garantojë që Parlamenti të zgjedhë midis kandidatëve më të kualifikuar, dhe jo midis të përzgjedhurve politikë. Ky është tekst i shkruar qartazi në draft opinion.

Jemi të bindur se ka modele që ofrojnë zgjidhje që sigurojnë pjesëmarrjen aktive të partive, të grupeve parlamentare në këtë proces dhe jemi të gatshëm i adaptojmë ato.

Ne kemi shumë të qartë se është shumë e dobishme për kredibilitetin e reformës që opozita të jetë edhe ajo pjesë e saj. Ndaj do të punojmë konkretisht që ajo të jetë pjesë aktive e këtij procesi.

 

Shpresojmë që cilido të ketë pjekurinë politike dhe ndërgjegjësimin qytetar për të kuptuar se nuk është ky rasti për të bërë politikë për interesa politike të ditës.

Dëshiroj dhe shpresoj që procesi në vazhdim të jetë një proces i shpejt, konstruktiv dhe konsensual, padyshim i lehtësuar tashmë edhe nga opinioni final i Komisionit të Venecias, si verdikti që palët janë angazhuar e dakordësuar se do të respektojnë.

Nëse forat politike që kompozojnë parlamentin shqiptar dhe liderët e tyre politik do t’i qëndrojnë përbetimeve të tyre për besnikëri ndaj verdiktit të Komisionit të Venecias, është pikërisht momenti për ta shprehur atë.

Tashmë besoj se ka ardhur momenti i të vërtetës !

Nëse ka vullnet të sinqertë politik, fundi i muajit mars mund të na gjejë në votimin parlamentar të projektit kushtetues.

Faleminderit !

 

Përgjigjet e dhëna për pyetjet e gazetarëve

 

Ju thoni që në Komisionin e Venecias janë vlerësuar si të pranueshme të gjitha organet e reja kushtetuese që janë parashikuar në atë draft, por të paktën e thatë dhe vetë që ka lexime të ndryshme nga palët e ndryshme dhe ndoshta dhe nga media. Në të vërtetë, njësia e hetimit, siç njihet në draft, Byroja e Hetimit, thuhet që duhet të jetë në varësi të Prokurorisë, ndërkohë që drafti i miratuar në qeveri është në varësi të policisë. A përbën ky ndonjë problem dhe a do ta ndryshoni varësinë e këtij organi të ri kushtetues?

E vlerësoj pjesën e parë të komentit tuaj lidhur me lexime të ndryshme dhe nga media. Për fat të keq ka, por unë ju mirëkuptoj edhe për një arsye, sepse drafti i përkthyer nga ekspertët nuk ka qenë në dispozicion të njerëzve të medias dhe çdo përkthim, sado i mirëbërë nga njerëz që e njohin gjuhën përkatëse, nuk mund të jetë përkthimi i duhur pwr ata që nuk njohin edhe gjuhën juridike. Është kjo arsyeja që ka përfunduar përkthimi i këtij dokumenti nga EURALIUS dhe OPDAT. Sot unë e kam atë në dispozicion dhe do t’jua shpërndaj, përveç padyshim të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë proces, edhe medias, që të jenë shumë herë më të qarta për atë çka lexojnë. Pastaj kuptimet që mund t’i japin mbetet në të drejtën e gjithsecilit prej jush, por uroj që çdo lexim që do të bëhet, të bëhet mbi atë që është shkruar dhe mbi atë që mund të sqarojmë apo të debatojmë.

 

Përsa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimit ka një keqkuptim. Opinioni nuk merret me Byronë Kombëtare të Hetimit, merret kryesisht me Strukturën Anti- Korrupsion, që do të thotë me prokurorinë dhe raportin që ajo duhet të ketë me prokurorinë në tërësi, me nevojën që ka për t’u kontrolluar, për të qenë i kontrollueshëm dhe llogaridhënës ky organ. Përsa i përket çështjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, nuk është pjesë e këtij raporti dhe nuk është marrë ky opinion me këtë rast. Por natyrisht askush nuk ka pretenduar deri më sot që Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë jashtë drejtimit dhe kontrollit të prokurorisë, për arsye sepse kështu funksionin sistemi i hetimit penal në Shqipëri.

Përsa i përket çështjes së Prokurorit  të Përgjithshëm, në raportin e Komisionin të Venecias thuhet që nuk duhet ndërprerë mandati i Prokurorit të Përgjithshëm dhe sugjeron që Prokurori i ri i Përgjithshëm të votohet me një dakordësi, me një konsensus sa më të madh mes palëve, ndërkohë që fillimisht mazhoranca ka shprehur dakordësinë  për ndërprerjen e mandatit të kryeprokurorit. Një koment tuajin ju lutem?

E para mazhoranca nuk ka shprehur dakordësinë. Të jemi korrekt, të paktën dhe këtu ta lexojmë Venecian siç është. Venecia ka thënë që grupi i ekspertëve i ka hartuar dhe i vlerësojmë. Jua njihni këtë tw drejtw fjale dhe mos i hiqni meritën atyre që e kanë bërë këtë gjë dhe në këtë moment të parë mos e lexoni ndryshe raportin e Venecias.

Grupi i ekspertëve në asnjë rast nuk ka dhënë një definicion të prerë dmth që i ndërpritet mandati prokurorit, por e ka lidhur këtë me kohën që do të formatoheshin organet e reja të sistemit të drejtësisë penale, përfshi dhe Këshillin e Prokurorisë.

Natyrisht Venecia ka bërë një sqarim, dhe mua më duket i drejtë, se përderisa Prokurori i Përgjithshëm do t’i nënshtrohet vlerwsimit dhe është ndër të parët që do t’i nënshtrohet kontrollit, vlerësimit sipas këtij parashikimi të ri kushtetues dhe ligjor, nëse do t’i kalojë asaj, le t’i qëndrojë deri në fund mandatit. Ky është koncepti që ka dhënë praktikisht Komisioni i Venecias dhe është i arsyeshëm duke mbajtur parasysh kohën në të cilën është zhvilluar dhe po zhvillohet i gjithë ky proces dhe që përputhet me kohën normale të mbarimit të mandatit të prokurorit në detyrë. Pra kur është ndërtuar për herë të parë dispozita, të mos harrojmë që ka qenë një vit para. Tani ka kaluar një vit dhe është afruar shumë me kohën e përfundimit të mandatit dhe logjika e grupit të ekspertëve, po të lexoni ndryshimet që janë bërë në variantin e dytë të grupit të ekspertëve, nuk parashikon një ndërprerje tw menjwhershme, ndryshe nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nuk parashikon ndërprerje të menjëhershme të funksioneve të prokurorit të pwrgjithshwm. Në asnjë rast nuk ekziston ky amendament, por ka bërë një shtrirje në kohë dhe e ka lidhur këtë me formimin e institucioneve, duke caktuar si kohë limit, përfundimin natyral të këtij mandati. Venecia këtu bën dhe një sqarim, e lidh këtë që nuk e kishte bwrw grupi i ekspertëve, me procesin e vlerësimit dhe deri sa ata e kanë thënë, është një gjë e pranueshme dhe e arsyeshme edhe prej nesh.

Komisioni i Venecias nuk ka lënë një definicion të qartë për mënyrën se si do të zgjidhen anëtarët e gjykatave që zgjidhen nga parlamenti, që ka qenë dhe njëra nga çështjet që ka ndarë palët më shumë, ajo e 2/3 apo e 3/5. A mund të bëhet kjo një shkak tjetër bllokimi dhe arsye për të mos u votuar ashtu siç thoni ju në fund të marsit reforma në drejtësi? Pyetje e dytë. Komisioni i Venecias thotë gjithashtu që duhet të sigurohet ndikimi i opozitës në Këshillin e Prokurorisë dhe Këshillin e Gjyqësorit?

Shumicat e cilësuara kanë qenë një çështje që janë debatuar edhe më parë kur është përgatitur raporti i ndërmjetëm. Është një debat i arsyeshëm. Ka pasur propozime, shumicë të cilësuar me 2/3, shumicë të cilësuar me 3/5 ka projekti, me 2/3 me një kohë të caktuar njw tjetwr propozim, ka pasur ndërkohë edhe përpjekje për të gjetur zgjidhje të ndërmjetme. Ka pasur shkëmbime idesh gjatë kësaj periudhe. Përfundimisht Komisioni i Venecias ka dhënë këndvështrimin e tij duke theksuar se të gjitha shumicat janë standarde të njohura që duhen mbajtur në konsideratë me kushtet konkrete të vendit. Ka theksuar qartë që ajo çka ishte thënë më parë lidhur me këtë nuk ishte përkthyer në mënyrë shumë korrekte nga palët lidhur me shumicat e cilësuara. Do ta shikoni me kujdes se dokumenti i jep përgjigje një përkthimi jo të drejtë nga Partitë Politike, lidhur me vlerësimet që kishte bërë KV në raportin e ndërmjetëm dhe natyrisht thotë që kjo është një çështje që palët duhet ta zgjidhin në raport me situatën konkrete që ka vendi dhe zgjidhjet që mund të ofrohen.

Është një debat i arsyeshëm, i pranueshëm dhe besoj që midis asaj hapësire të madhe me variantet e shumta që ka dhënë Komisioni i Venecias, si arbitër i ka dhënë të gjitha palëve hapwsirwn që të luajnw. Unë besoj që do të ketë një debat të shëndetshëm, por besoj që do të arrijmë që të gjejmë një zgjidhe të arsyeshme.

Një gjë nuk ka thënë, që opozita të ketë ndikim. Nuk bëhet fjalë për ndikim partiak në formimin, në zgjedhje, sepse ndryshe do të kishim vullnete politike të shprehura në përfaqësime konkrete në përbërjen e këtyre institucioneve të pavarura. Por që palët politike, grupet politike, të marrin pjesë aktive në procedurën e përzgjedhjes pa dhënë një ndarje në përfaqësues të “X” apo “Y” partie, kjo është një gjë normale për sa kohë që investohet ligjvënësi në këtë procedurë.

 

A jeni i gatshëm juve të toleroni tek 3/5 në kërkim të konsensusit me opozitën?

Më falni, unë atë që kisha për të thënë për këtë gjë i thash. Pastaj se janë me 3/5, se janë me 2/3 apo me shumicë të thjeshtë siç është sot (që unë personalisht nuk jam dakord), kjo është një çështje që do t’i mbetet debatit të shëndetshëm që do të bëhet për këtë çështje. Le t’ia lëmë debatit.

Z. Xhafaj për të mbetur tek çështjet praktike, si do të procedohet tani?

Siç është procedura normalisht do të procedohet. Siç bëhet, siç ka vepruar deri më tani komisioni dhe siç bëhet për çdo praktikë tjetër ligjvënëse, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese.

Z. Xhafaj, unë e kam lexuar raportin dhe të paktën në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga tre të zgjedhurit nga Parlamenti, Komisioni i Venecias rekomandon zgjedhjen me 84 vota. Në gjykimin tuaj a pranohet ky propozim? Sepse ju iu referuat, që hapësirat që lënë ekspertët është për emërimin e anëtarëve të lartë të këshillit të gjyqësorit, ndërsa për Gjykatën Kushtetuese shprehimisht propozojnë 84 vota...

Mbetet për t’u diskutuar. E para, mund të jetë me shumicë të thjeshtë, mund të jetë me 84 vota, por mund të jetë edhe më 2/3-at zgjedhja e tre gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese që ka Parlamenti. Sepse në kompozimin e ri të Gjykatës Kushtetuese, tre i ka Presidenti i Republikës, president që zgjidhet me 71 vota, tre i kanë vetë gjyqtarët dhe tre do t’i ketë Parlamenti.

Palët në Parlament mund të bien dakord t’i votojnë me 71 vota, siç zgjidhen edhe ato të Presidentit, mund të bien dakord me 84 vota siç kemi propozuar ne në frymën e debateve të mëparshme që kemi bërë, mund të bihet dakord edhe me 2/3-at. Kjo varet se cili do të jetë vullneti i shprehur i grupeve politikeve, kur të vijë momenti i debatit dhe shqyrtimit politik.

Pak më herët ju folët për çështjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, po ju citoj: Asnjëherë nuk kemi pretenduar që Byroja të jetë jashtë kontrollit të Prokurorisë. Çfarë do të thotë kjo, çfarë roli do të ketë Prokuroria në Byronë e Hetimit? Projektligji kërkon që ky institucion të jetë në varësi të Policisë së Shtetit...

Absolutisht jo, nuk ka një projekt të tillë, që gjithçka të jetë e varur nga Policia e Shtetit. Përkundrazi, është projekti i ri që parashikon drejtim dhe kontroll të plotë nga ana e organit të Prokurorisë. Por që të jemi të qartë, dhe kjo nuk ka nevojë fare për të lexuar këtë, duhet të kishit parë më vëmendje dhe draftin përkatës, por edhe mënyrën se si ka rrjedhur procesi.

Kini parasysh, kur është ndërtuar Byroja Kombëtare e Hetimit, pra projekti që ka bërë Ministria e Brendshme në bashkëpunim me OPDAT-in nuk kanë qenë në diskutim çështja e njësisë së posaçme anti-korrupsion në Prokurori, që do të thotë se do të ketë një përputhje me strukturën e posaçme anti-korrupsion. Që do të duhet të përshtatet me këtë kur të vijë momenti. Kur është hartuar drafti nuk ka qenë kjo strukturë, ka qenë Prokuroria pa strukturë të posaçme anti-korrupsion siç është sot, por me prokurorinë e Krimeve të Rënda. Do të thotë që do të duhet tani tw pwrshtatet me projektin kushtetues, sepse nuk mund ta bësh një gjë të tillë pa miratuar projektin kushtetues, prandaj dhe Ministria hezitonte ta nxirrte në dritë dokumentin sa kohë që projekti nuk kishte marrë formën e plotë. Presioni politik dhe debati politik bëri që ai dokument të bëhej publik dhe sot kemi një dokument shumë të qartë që ka nevojë për rregullime, sidomos në aspektin për ta lidhur atë shumë më mirë me strukturën e posaçme anti-korrupsion, që do të ekzistojë në sistemin e drejtësisë penale.

Se si do të jetë kjo strukturë, se çfarë raporti do të ketë me Prokurorinë e Përgjithshme, etj., këto janë pika për t’u diskutuar. Gjithsesi, unë jam i hapur që edhe në ditët në vijim të kem mundësi t’ju përgjigjem pyetjeve tuaja, pasi të jeni njohur më mirë me draftin, por edhe me problematikën që do të dalë gjatë kohe dhe nga këndvështrimet që do të jepen dhe ju do të keni të gjithë të drejtën t’i pasqyroni këndvështrimet e ndryshme që ka lidhur me zgjidhjet dhe alternativat e ofruara. Keni të drejtën padyshim edhe të pyesni se cilat janë gjithashtu edhe këndvështrimet e mia, nëse do t’ju interesojë edhe kjo gjë.

Z. Xhafaj, në një rast hipotetik, nëse opozita vendos të mos marrë pjesë në komisionin e reformës në drejtësi, gjithashtu edhe në procesin e reformës në drejtësi, a do të vazhdojë mazhoranca t’i shkojë deri në fund këtij procesi?

E para nuk e besoj. Unë nuk kam dëgjuar një deklaratë të tillë nga opozita, përkundrazi. Nuk e besoj që opozita do ta bojkotonte procesin parlamentar për reformën në drejtësi. Sa kam dëgjuar dhe kam kuptuar, unë nuk besoj që kjo mund të ndodhë dhe nuk besoj se do të ishte fort e shëndetshme që kjo të ndodhte, pavarësisht se unë i kam kundërshtar, por nuk mund t’u jap një gjë që ata nuk e kanë shprehur.

Duket sikur ka lexime të ndryshme të qëndrimit të opozitës, sepse deklaratat nga Partia Socialiste janë disa të tilla, thonë që opozita po gjen çdo pretekst për të mos votuar reformën në drejtësi?

Edhe një herë t’i ndajmë gjërat. Debatet politike rreth nevojës së reformës, domosdoshmërisë së reformës, këndvështrimit të reformës janë tjetër gjë dhe këndvështrimet që lidhen me projektin dhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias, janë tjetër gjë. Unë nuk besoj dhe e ritheksoj, që opozita do t’i shmanget kësaj përgjegjësie së paku çfarë kam kuptuar unë nga kryetari i PD-së në prononcimet e tij publike ashtu edhe nga përfaqësues të tjerë të opozitës. Nga ana tjetër unë besoj dhe shpresoj që opozita dhe ne të kemi të njëjtën gjuhë, të njëjtin kuptim, të njëjtin lexim, mbi atë çfarë ka thënë Venecia, çka do ta ndihmonte për të ecur shumë shpejt drejt disa zgjidhjeve të pranueshme, të qëndrueshme dhe të rëndësishme për fatin e procesit jetik për vendin. Shpresoj që kjo të ndodhë dhe është momenti që të ndodhi.

Pavarësisht çfarë shpresonit dhe besonit z. Xhafaj, a do të kalojë kjo reformë pa konsensusin e opozitës?

E para, nuk ka me nëse. Opozita nuk ka thënë që nuk do të marrë pjesë në proces dhe nuk duhet të ndodhë kjo gjë. Unë besoj që është e rëndësishme pjesëmarrja e opozitës në këtë proces, është shumë e rëndësishme vota e opozitës në këtë proces, sepse bëhet fjalë për një reformë thelbësore kushtetuese, për një reformë jetike për fatet e vendit dhe për një reformë që do të udhëheqë ndryshimet, efektet e reja në sistemin e drejtësisë për një kohë të gjatë. Dhe është e rëndësishme që të jemi të gjithë bashkë në këtë proces dhe unë shpresoj që do të jemi të gjithë bashkë.

 

 

 

Shkarkime: