Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi diskutoi projektligjin për zbatimin e rivlerësimit

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi diskutoi projektligjin për zbatimin e rivlerësimit ku dëgjoi përfaqësuesit e EURALIUS dhe të OPDAT-it.

Anëtarët e Komisionit ranë dakord që këto çështje të diskutohen me ekspertët dhe të përgatitet një material i plotë me ato çështje për të cilat është rënë dakord dhe për ato që ka dallime.

Pas mbledhjes, z. Oerd Bylykbashi dhe z. Pandeli Majko dhanë një prononcim për mediat.

Prononcim i z. Oerd Bylykbashi:

U prezantuan komentet e ekspertëve ndërkombëtarë dhe do të ulen këto ditë ekspertët për të gjetur versionin përfundimtar të hartimeve. Është proces hartimi legjislativ dhe besoj se do të mbyllet shpejt.

Prononcim i z. Pandeli Majko:

Mendoj se ne kemi kaluar në një fazë ku më shumë se sa diskutimi i konsensusit jemi duke diskutuar zbatimin e dispozitave të reja kushtetuese. Kështu që sot dëgjuam komentet e përfaqësuesit të Bashkimit Europian dhe të OPDAT. Thashë këtë jo në gjuhën e ekspertizës, pasi përfaqësuesi i EURALIUS deklaroi se të gjitha opinionet që ai shprehu për vërejtjet që kanë shprehur kolegët e opozitës ishin qëndrime të Komisionit të Bashkimit Europian. Ne kërkuam që tani këto të diskutohen me ekspertët dhe ata të na sjellin një material përmbledhës për ato që u ra dakord dhe për ato që nuk u ra dakord.

Çfarë nuk u ra dakord?

Besoj se nuk vlen të diskutohet shumë atmosfera sepse e thashë që në fillim fare që ne po diskutojmë mbi një logjikë të re, jo atë të dispozitave kushtetuese, por të zbatimit të atyre që kemi ndryshuar në kushtetutë përmes ligjeve.

A keni parë ligjin e SPAK-ut ku vërehet një ndryshim për mediat për ushtrim të paligjshëm influence dhe që mund të dënohet?

Është e kotë të dështojmë tani gjëra të cilat akoma nuk kanë hyrë në rendin e ditës së komisionit. Të gjitha këto detaje do të shikohen hap pas hapi. Ju  siguroj që nuk ka ndonjë tendencë për t’i bërë presione medias.

A u fol sot për rolin e OMN-së? Çfarë roli sugjeronin KE?

Do të jetë ai rol që është shkruar në aneksin kushtetues. Do të jetë një rol i cili përcaktohet qartë në aneksin kushtetues dhe ne nuk do të lëvizim asnjë presje.

Po verifikimi i pasurive?

Verifikimin e pasurive, dhe ky ishte dhe në opinionin e Komisionit Europian duhet ta bëjnë institucione të cilat e kanë bërë deri më sot, që kanë një eksperiencë kushtetuese dhe që i kërkon Kushtetuta ta bëjnë. Në rastin e trajtimit të kontrollit të figurës DSIK. Pra mendoj që këto janë gjëra që ne do t’i vazhdojmë në vazhdim. Nuk do të bëjmë shpikje. Dëshiroj të them se pavarësisht se është gusht, u përpoqëm që të jemi gjakftohtë në trajtimin e problemeve.