Edukimi ligjor i publikut në kuadër të Reformës në Drejtësi

Kapitulli mbi Edukimin Ligjor dhe Arsimin Juridik, si pjesë e dokumentit analitik të reformës në sistemin e drejtësisë është hartuar nga ekspertët vendas dhe ata ndërkombëtarë, të përfshirë në nëngrupin për Edukimin Juridik, strukturë e cila bashkëdrejtohet nga Grupi  i Ekspertëve të Nivelit të Lartë dhe nga përfaqësues të OSBE-së.

Bazuar në agjendën e veprimtarisë intensive të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, një tryezë pune iu dedikua dhe diskutimit me grupet e interesit mbi dhe problematikat lidhur me Edukimin ligjor dhe Arsimin Juridik. Në datën 7 maj 2015 në mjediset e kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, strukturë teknike pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë organizoi një dikskutim të hapur pikërisht mbi kapitullin e dokumentit analitik që i është dedikuar edukimit ligjor dhe arsimin juridik.  Ky kapitull është hartuar nga ekspertët vendas dhe ata ndërkombëtarë, si pjesë e nëngrupit për Edukimin Juridik, që bashkëdrejtohet nga Ekspertët e Nivelit të Lartë dhe përfaqësuesit nga OSBE-ja.

Nën drejtimin e Prof.As. Dr. Evis Alimehmeti, në seancat e debatit ishin prezentë edhe përfaqësues të Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe disa organizatave ndërkombëtare, Ministrja së Arsimit dhe Sporteve, znj. Lindita Nikolla, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Shkolla e Magjistraturës, Akademia e Policisë, Avokati i Popullit, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë së Universitetit të Tiranës, Universiteti Europian i Tiranës, Shkolla e Lartë jopublike “Luarasi”, “Hëna e Plotë” Beder, Universiteti i “New Yorkut”, si dhe aktivistë të organizatave të shoqërisë civile.

Diskutimi u orientua fillimisht nga prezantimi i materialit analitik nga ekspertët e nivelit të lartë, të cilët evidentuan çështje që lidhen me edukimin ligjor në arsimin parauniversitar, në atë juridik universitar, në arsimin profesional pasuniversitar, ku përfshihen Shkolla e Magjistraturës dhe profesionet e lira, si dhe në trajnimin vazhdues të juristëve të institucioneve të tjera. Në diskutimet, komentet dhe sugjerimet e të pranishmëve u bë vlerësim rreth gjetjeve dhe analizës së prezantuar nga nëngrupi, si dhe paketën e konkluzioneve të arrituara prej tyre,  apo qëndrimet për domosdoshmërinë e reformimit të sistemit.

Në përfundim të diskutimeve u shpreh qartë rëndësia që ka edukimi ligjor në Shqipëri, si një proces që ngërthen një sërë elementesh dhe faktorësh shumë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e të gjithë sistemit të drejtësisë. Çështje të tilla si: edukimi ligjor i publikut, një rishikim cilësor i kurrikulave në sistemin arsimor parauniversitar, si dhe nevoja për një reformë në arsimin juridik, por gjithmonë duke respektuar parimet aq të rëndësishme si autonomia universitare e liria akademike, u theksuan si me mjaft peshë e vlerë në procesin reformues.
Konkluzionet e arritura në përfundim të kësaj tryeze do të jenë objekt shqyrtimi dhe vlerësimi nga ana e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë, për t’u integruar eventualisht në materialin përkatës.