Çështjet e drejtësisë penale dhe antikorrupsionit të Reformës në Drejtësi diskutohen me grupet e interesit në Durrës

“Drejtësia penale dhe Antikorrupsioni ”, ishin dy temat objekt diskutimi në Universitetin “Aleksandër Moisu” në Durrës.

Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, pranë këtij komisioni, zhvilloi një dëgjesë konsultimi publik për komponentët kryesorë të dokumentit “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri – 2015” dhe të tërheqjes së opinioneve rreth Strategjisë për Reformën në Drejtësi.

Të pranishëm ishin gjyqtarë, prokurorë,  avokatë, noterë, përmbarues, ndërmjetës, pedagogë e studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” si dhe përfaqësues të OJF-ve të qarkut të Durrësit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald Lu shprehu besimin  që ky proces i reformës në drejtësi, do të krijojë gjithashtu një sistem që restauron besimin e popullit shqiptar në sistemin e tij të drejtësisë.

“Të gjitha vendet tona përballen me problemin e korrupsionit.  Një demokraci e mirëfilltë e funksionale ka institucionet dhe procesin për identifikimin e korrupsionit, ndëshkimin e përgjegjësve dhe sigurimin e drejtësisë për popullin e vet.  Gjatë viteve të fundit në Shqipëri janë dënuar vetëm tre gjykatës për korrupsion dhe asnjë prokuror. Muajin e shkuar thashë  që disa gjykatës dhe prokurorë në Shqipëri meritojnë të pushohen nga puna dhe disa meritojnë të shkojnë në burg. Kjo mori të gjithë vëmendjen mediatike, por unë thashë gjithashtu që ka shumë gjykatës dhe prokurorë që po punojnë ndershmërisht në Shqipëri që e meritojnë të punojnë në një sistem drejtësie të lirë prej korrupsionit. Të gjithë kemi nevojë të luftojmë për gjykatës dhe prokurorë të pastër, ashtu siç kërkojmë të identifikojmë dhe të ndëshkojmë ata që janë të korruptuar”, theksoi z. Lu.

Duke nënvizuar faktin se reforma në drejtësi është një çështje që nuk i përket interesit politik të një mazhorance apo të një opozite, por i përket gjithë shoqërisë shqiptare, përfaqësuesi i opozitës, z. Fatmir Mediu u shpreh se bashkëpunimi është mëse i domosdoshëm, sidomos për reformën në drejtësi. 

“Unë jam këtu si përfaqësues i opozitës. Dua të them se reforma në drejtësi është një çështje që nuk i përket interesit politik të një mazhorance apo të një opozite, por i përket gjithë shoqërisë shqiptare. Përgjithësisht, ligjet me votim cilësor apo me votim absolut janë të tilla sepse nuk janë çështje numrash, por janë çështje të interesit që tejkalojnë interesin politik të një mazhorance apo të një opozita.  Mendoj se bashkëpunimi është mëse i domosdoshëm, sidomos për reformën në drejtësi.  Besoj se tashmë është dhe një ofertë e opozitës në tavolinë,  e cila duhet konsideruar që opozita të jetë pjesë aktive e këtij komisioni,  që të mos jetë një pjesë pasive. Besoj dhe në vullnetin e kolegëve të mi të Komisionit të Ligjeve, të cilët  vërtet duan të ndërtojmë një marrëdhënie të qenësishme. Shpresojmë që së shpejti të gjejmë një zgjidhje dhe për këtë çështje”, tha z. Mediu. 

Në vijim të fjalës së tij, z. Mediu theksoi nevojën për ndryshime edhe në Kushtetutë.

“Mendoj se ne duhet ti referohemi për çdo gjë ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe sidomos respektimit të së drejtës, si element primar, në të gjitha reformat që  bëjmë. Ajo që më shqetëson, është fakti që ne përpiqemi  ta mendojmë, duke harruar që kemi tashmë një Kushtetutë, e cila duhet parë me defektet që ajo ka. Nëse ne nuk do e shikojmë njëherë të gjithë atë që na jep mundësi për të ndërtuar parimin e “check and balanc”, unë mendoj se do të ishte e vështirë që të ndërtojmë një reformë drejtësie të qenësishme”, tha z. Meidu.

Më pas, vendi iu la diskutimeve dhe pyetjeve të grupeve të interesit, të pranishëm në këtë konsultim, të cilat  u mbajtën shënim nga organizatorët, për t’u trajtuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë. Ata ftuan studentët dhe pedagogët, si dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit që të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes online të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.

Faza e konsultimeve publike, sipas kalendarit që është miratuar, do të vijojë në Universitetin “Nehemia”, Pogradec, në Universitetin “Eqerem Çabej”, Gjirokastër, dhe në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.